Nga e gjithë përballja ushtarake mes Rusisë dhe Ukrainës, lufta për dominimin e hapësirës ajrore është ndoshta më rëndësishmja. Aty, Moska ka mjete më të shumta në numër dhe më të përparuara. Por kur është mbushur një muaj nga nisja e luftimeve, forcat ajrore të Ukrainës janë ende në ajër.
Raportimi nga Fred Pleitgen, CNN
Nuk u llogaritën fare në fillim të luftës, por janë ende të fortë. Përkundër të gjitha parashikimeve, Rusia ende nuk ka arritur që të “zbresë në tokë” forcat ajrore të Ukrainës.
Ne folëm me pilotin luftarak, Andriy, i cili ndodhet në një vend të fshehtë dhe gjithashtu ruan identitetin e tij për arsye sigurie.

“Në fillim, pilotët rusë dominuan, sa i përket numrit të luftëtarëve dhe pajisjeve të reja. Tani, kanë filluar të refuzojnë të fluturojnë, sepse ne po i rrëzojmë. Përpiqemi të punojmë me taktikë”
Andriy, pilot i forcave ajrore të Ukrainës
Andriy thotë se fluturon një avion model SU-27.
“Rrëzova avionë rusë. Fatkeqësisht nuk mund të them se cilët, sa dhe si i rrëzova. Vazhdimisht më qëllojnë me raketa nga toka dhe ajri. Gjatë një beteje ishim 3 avionë kundër 24. Pra 3 avionë tanët zmbrapsën 24 avionë rusë”
Andriy, pilot i forcave ajrore të Ukrainës
Është e pamundur që pretendimet e tij të verifikohen, por gjatë intervistës, në sfond u dëgjua një avion ukrainas që nisej për një mision.

Andriy thotë se Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar atë dhe pilotët e tjerë që të mësojnë si të mundin rusët.
“Kemi taktikat tona. Kemi kryer ushtrime për “pastrimin e qiejve” me miqtë tanë amerikanë. Tani po përdorim disa nga taktikat që mësuam nga amerikanët”
Andriy, pilot i forcave ajrore të Ukrainës
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët fillimisht besuan se Rusia do të merrte në zotërim qiellin e Ukrainës vetëm pak ditë pas nisjes së pushtimit. Por zëdhënësi i forcave ajrore të Ukrainës thotë se ata ishin përgatitur për këtë ditë.
“Kishim 8 vite që përgatiteshim për këtë skenar. Nuk mund të thuhet se ushtria jonë nuk e mendonte se kjo do të ndodhte. Kemi shkatërruar deri tani 100 avionë dhe 123 helikopterë rusë”
Yuriy Ignat, zëdhënës i forcave ajrore të Ukrainës

Shumë avionë rusë janë rrëzuar nga raketahedhëset që ushtarët i mbajnë në supe, të dhuruara nga aleatët perëndimorë. Por ukrainasit përdorin edhe sisteme me rreze të gjatë, si ato S-300. Zëdhënësi i forcave ajrore thotë se vendi i duhen edhe raketa dhe avionë amerikanë.
“Po flas për Sistemet e Integruara të Mbrojtjes Ajrore të NATO-s, si F-15 Eagle, apo F-16 Falcon. Mund të mos jenë përdorur kurrë, ose të jenë nxjerrë nga përdorimi, por ushtrisë së Ukrainës mund t’i bëjnë punë”
Yuriy Ignat, zëdhënës i forcave ajrore të Ukrainës
Për Andriy-n, beteja për qiellin e Ukrainës është personale. Ai tregon se mamaja dhe gruaja e tij janë gjithashtu në front, duke ndihmuar në mbrojtjen e vendit. Edhe ai është gati të sakrifikohet.

“Të gjithë kanë frikë se mos vriten. Por tjetër gjë është të vritesh me nder”
Andriy, pilot i forcave ajrore të Ukrainës
Shtetet e Bashkuara të Amerikës thonë se forcat ajrore të Ukrainës janë kryesisht të paprekura dhe gati për luftë.
Lufta për qiellin, një tjetër zonë ku Ukraina po arrin të rezistojë, përkundër të gjitha parashikimeve. (A2 Televizion)