
Komunikimi online me qytetarët duket se do të jetë njënga mënyrat se si Sali Berisha do të bëjnë fushatë elektorale për 14 majin. I pyetur nga qytetarët mbi kandidaturat e Tiranës që vijnë nga radhët e së djathtës, por nuk garojnë nën siglën e PD si Lajla Përnaska, Berisha i cilësoi ato si patericë të pushtetit.
“Çdo kandidat përveç Belind Këlliçit, është kandidat i Edi Ramës. Ai kandidon për të ndihmuar kandidatin e Edi Ramës, që përbën në vetvete falsititetin më të madh, janë patericë e Erion Veliajt”, tha Berisha.
Berisha akuzoi kryeministrin Rama se po shkel çdo nen të kodit zgjedhor në këtë fushatë duke shtuar me tej akuzat edhe për komisionin qendror të zgjedhjeve që sipas Berishës po mbështet Ramën.
“Në këtë fushatë, Rama po shkel çdo rregull dhe parim të zgjedhjeve të lira dhe të barabarta. Në fund, fatura do i shkojë vetëm atij. Rama po harxhon miliona euro për të blerë vota, shpërndan bonuse, ndërmerr një certifikatë nga KQZ e tij se vota e vendoreve nuk qenka votë”, shtoi ish-kryeministri.
Berisha premtoi se PD në pushtet do t’i rikthehet investimeve rurale duke e quajtur Rilindjen Urbane, një projekt korruptiv.
“Rilindja Urbane është projekti më i tmerrshëm për vjedhjet se çdo projekt tjetër. Nuk ka diskutim se një Shqipëri rurale është kushti i të gjitha kushteve që Shqipëria të jetë një vend i zhvilluar. Ne i kthehemi zhvillimit rural si kusht për zhvillimin e Shqipërisë”, shtoi ai.
Berisha e mbylli këtë komunikim, duke i bërë thirrje emigrantëve shqiptarë të votojnë kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë” në zgjedhjet vendore. (A2 Televizion)