Gati për pritjen e afganëve, Xhaçka inspekton strukturat akomoduese

Nga A2 CNN
18 Gusht 2021, 17:31 | Aktualitet

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, në cilësinë edhe të koordinatores për operacionin humanitar në ndihmë të shtetasve afganë inspektoi qendrën pritëse dhe strukturat akomoduese, të ngritura posaçërisht për këta refugjatë

Ministrja Xhaçka ndoqi nga afër punën e bërë në qendrën pritëse në aeroportin e Rinasit, ku qytetarëve afganë do t’u jepet ndihma e parë shëndetësore, asistencë psikologjike/sociale dhe shërbimi bazik për ushqim apo nevoja të tjera të mundshme.

Qendra, e pajisur me çadra mjekësore e të ndihmës së parë ka një kapacitet prej 400 personash dhe do të shërbejë si ndalesa e parë e pasagjerëve në mbërritjen në Shqipëri. Më pas, pas modaliteteve respektive ligjore ata do të shoqërohen për në strukturat akomoduese në Tiranë apo Durrës, në varësi të numrit të personave që do të strehohen përkohësisht në Shqipëri.

Ministrja është ndalur edhe në strukturat akomoduese në Tiranë, të cilat janë hapësira të lira e të pajisura me të gjitha kushtet e jetesës për individë apo famije. Qytetarët afganë do të qëndrojnë për pak javë në këto qendra, për t’u zhvendosur më pas në disa struktura hoteliere në bregdet në pritje të kryerjes së procedurave për transferimin e tyre drejt destinacionin final. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos