
Situata me zjarret për dy javë me radhë krijoi një situatë problematike por edhe dëme të konsiderueshme.
Në Karaburun, Gjormë e Gumenicë u regjistruan edhe situatat më problematike. Prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, ka konfirmuar se dëmet e shkaktuara janë të konsiderueshme, por duhet pritur ende verifikimi në terren për të parë rezultatet përfundimtare.
Sipas tij, flora dhe fauna kryesisht në Karaburun kanë pësuar dëme të mëdha dhe do të duhen dekada për t’u rikuperuar. “Flora ka dëmtim të jashtëzakonshëm, kurse fauna mbetet për t’u vlerësuar pasi kafshët shtegtojnë kur ndjejnë temperaturat e larta. Por ka pasur dëme të konsiderueshme, pasi kemi gjallesa të cilat kanë ngordhur për shkak të temperaturave të larta. Për mua, Karaburuni është katastrofë e vërtetë”.
Referuar situatës së shkaktuar në pjesën më të madhe kemi të bëjmë me zjarrvënie të qëllimshme. Ndërkohë, Mamaj ka theksuar se duhet ashpërsim i ligjit për personat që shkaktojnë zjarrvënie, duke i cilësuar edhe si akte terroriste. (A2 Televizion)