
Napoli po përgatitet për sfidën e Champions League ndaj Barcelonës, ndeshje që do të luhet mbrëmjen e së martës në “San Paolo”.
Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes, trajneri i Napolit, Gennaro Gattuso pranoi superioritetin e kundërshtarit, por theksoi se skuadra e tij do të mundohet të shfrytëzojë çdo mundësi që do t’i paraqitet për të kaluar më tej.
Ai saktësoi se nuk do të përgatisë asgjë të veçantë për të ndalur Messin, fituesin në fuqi të Topit të Artë.
“Kam dëgjuar të flitet për gardhe apo kafaze për Messin, por duhet që të luajmë si skuadër. Messi është i jashtëzakonshëm, bën gjëra që i shikoj t’i bëjë djali im në PlayStation. Ne duhet të luajmë me kokën lart dhe pa frikë. Ta respektojmë kundërshtarin dhe të luajmë deri në fund”, deklaroi Gattuso.
“Nuk duhet të bëjmë gabimin që ta markojmë me sa më shumë lojtarë. Duhet të punojmë si grup”, shtoi Gattuso. (A2 Televizion)