
Vështirësia në shikim dhe statusi i të verbrit, nuk e ka penguar Rushitin që për 22 vite rresht në të ftohtë dhe të nxehtë të çohet çdo mëngjes dhe t'u bjerë qark e për qark kalldrëmeve të Gjirokastrës për të shitur gazetat.
Gjirokastritët e njohin mirë 54-vjeçarin, i cili nuk i është dorëzuar as aftësive të tij dhe as rënies së ndjeshme të shitjes së gazetave.
22 vite janë një kohë e gjatë që Rushitit të bëjë një krahasim me vitet e para të shitjes së gazetës dhe tani.
Rënia e shitjes së gazetave nuk lë shumë vend për të llogaritur fitimin e 54-vjeçarit, i cili edhe pse e kupton që vlera është e papërfillshme sërish mjaftohet me pak sesa pa asgjë fare.
Përveç fitimit të papërfillshëm, fakti që Rushiti ka kontakt me njerëzit çdo ditë, është një tjetër shtysë për të.
Por si çdo invalid në vendin tonë edhe ai ka një mesazh për institucionet shtetërore për mënyrën se si e trajtojnë shtresën e tyre.
“Institucionet shtetërore, që nga parlamenti, qeveria dhe institucione të tjera, janë shumë deficitarë ndaj të verbërve dhe ndaj personave me aftësi të kufizuar."
Pa i kërkuar askujt lëmoshë, 54-vjeçari vlerëson çdo qindarkë që e fiton me punën e tij, dhe për sa kohë do të dalë çdo mëngjes, për aq kohë për të ka shpresë se do të shesë ndonjë gazetë më shumë. (A2 Televizion)