
Pretenca e SPAK ndaj ish-ministrit të mbrojtjes, Fatmir Mediu, i pandehur në Gjykatën e Posaçme për dosje “Gërdeci” do të lexohet në seancën e 9 majit. Ndonëse pritej këtë të hënë, prokuroi Klodian Braho, kërkoi më shumë kohë.
Ai e justifikoi mospërgatitjen e qëndrimit përfundimtar ndaj Mediut me ngarkesën në punë dhe faktin se dy kolegët e tij në proces, Altin Dumani e Arben Kraja, kishin qenë për arsye pune jashtë vendit.
Ndërkohë që nuk ishte i pranishëm në sallë, ish-ministri i mbrojtjes kërkoi pushimin e çështjes ndaj tij në Gjykatën e Posaçme. Sipas kërkesës së artikuluar nga avokatët e tij, Mediu nuk mund të merrej si i pandehur nga SPAK, e as të fajësohet për shkak të parashkrimit të veprave penale për të cilat akuzohet.
“Pas gati 2 vjet hetimesh të reja të SPAK-ut që prodhuan zero rezultat, pas mbajtjes së të njëjtës barrë akuzuese që 15 vite më parë kishte zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, për ne, natyrisht që edhe për ligjin dhe kjo ka më shumë rëndësi, çështja është e pamundur për të vijuar më tej për shkak të veprimit të parashkrimit dhe mbi këtë fakt, gjykata duhet të qëndrojë”, tha Ardian Visha, avokat i Mediut.
Në gjykatën e Posaçme, ish-ministri i Mbrojtjes po gjykohet me procedurën e gjykimit të shkurtuar për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim dhe “shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues. Dosja “Gërdeci” u riaktivizua pas një kallëzimi në SPAK të familjarëve të viktimave të shpërthimit tragjik, gati 13 vjet pasi Gjykata e Lartë kishte pushuar çështjen ndaj ish-ministrit. (A2 Televizion)