
Gjaku nga pacientët më të sëmurë me Covid-19, mund të jetë më i miri për përdorim në terapinë plazmatike të rikuperimit, sipas një studimi të ri nga Universiteti Johns Hopkins.
Mjekët kanë përdorur plazmën e gjakut që përmban antitrupa të aftë për të luftuar virusin, nga pacientët e rikuperuar nga pandemia për të ndihmuar në trajtimin e Covid-19.
Studiuesit morën në vëzhgim shembuj të plazmës nga 126 të mbijetuar nga Covid-19 dhe gjetën një ndryshueshmëri të gjerë në nivelet e antitrupave dhe aftësinë e tyre për të neutralizuar koronavirusin, shkruajti ekipi i Johns Hopkins në raportin e tyre, i cili u botua në Journal of Clinical Investigation.
Mosha dhe gjinia mund të jenë, gjithashtu, faktorë të rëndësishëm. Burrat e moshuar që u shtruan në spital me Covid-19 dhe u shëruan janë "kandidatë të fortë" për dhurimin e plazmës, sugjeron analiza.
"Tre faktorë u shoqëruan me përgjigje më të forta të antitrupave: të qenit i sëmurë me COVID-19 mjaftueshëm sa për t'u shtruar në spital, të moshuarit dhe gjinia mashkullore", tha raporti.
Pra studimi sugjeron që sa më i sëmurë të jetë një person me virusin, aq më i fortë është reagimi i antitrupave.
"Ne propozojmë që seksi, mosha dhe ashpërsia e sëmundjes të përdoren për të zgjedhur dhuruesit, sepse kemi zbuluar se këto ishin karakteristika të rëndësishme të pacientit, që jo vetëm parashikuan sasinë e antitrupave, por edhe cilësinë e këtij antitrupi”, deklaroi Sabra Klein, profesoreshë e Johns Hopkins Bloomberg, në Departamentin e Mikrobiologjisë Molekulare dhe Imunologjisë, e cila udhëhoqi ekipin e studimit. (A2 Televizion)