
Pas miratimit në Kuvend të projektligjit për barazinë gjinore, ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar me tone të forta, duke e cilësuar nismën si “një akt që i vë kazmën familjes shqiptare dhe rendit kushtetues të vendit”.
Berisha akuzoi mazhorancën se po përpiqet të mbulojë me këtë ligj “skandalet e korrupsionit”. “As dje, as sot dhe gjer në minutin e fundit të jetës sime, askush përveç Zotit nuk mund të më censurojë. Ju mendoni se më mbyllni gojën? Të mjerë, ata që kanë kërkuar shpëtim te censura, kanë marrë atë që meritojnë në histori,” deklaroi Berisha.
Ai tha se ligji i ri “çon në eksperimentim me shoqërinë shqiptare”, duke paralajmëruar se koncepti i “përkatësisë së shumëfishtë gjinore” bie ndesh me Kushtetutën që, sipas tij, e përcakton qartë binaritetin burrë-grua, shkruan A2 CNN.
“Në asnjë direktivë të Bashkimit Europian nuk ekziston përkatësia e shumëfishtë gjinore. Ato flasin për mosdiskriminim, por jo për riformatim të antropologjisë njerëzore,” theksoi ai. (A2 Televizion)
