
Sekretari për çështjet ligjore në Partinë Demokratike, Çlirim Gjata, ka deklaruar se “parlamenti ilegjitim, i dalë nga vota e vjedhur dhe e blerë me paratë e krimit dhe të korrupsionit, realizoi goditjen finale kundër reformës në drejtësi dhe pavarësisë së organeve të reja të drejtësisë”, duke iu referuar emërimit të Artur Metanit në krye të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë.
“Me urdhër të Edi Ramës, Parlamenti emëroi në krye të një prej institucioneve më të rëndësishme të organeve të drejtësisë, Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, shërbëtorin, vartësin e Kryeministrit, Artur Metanin, vëllanë e deputetes ish-ministre, duke shënuar kapjen edhe të një institucioni tjetër të drejtësisë. Ky emërim, siç e kemi konstatuar e denoncuar edhe më parë, vjen në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën e Republikës. Kjo shkelje e rëndë ka filluar që nga kualifikimi i paligjshëm i kandidaturës së Metanit nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, të kontrolluar nga shërbëtori Ardian Dvorani, duke u sanksionuar nga Parlamenti me një votim partiak. Për të emëruar vartësin e Edi Ramës në krye të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, u shkelën kriteret bazë kushtetuese dhe ligjore”, tha Gjata.
“Metani u emërua nga vetë Kryeministri Avokat i Shtetit, pra vartës direkt i tij, pa folur për lidhjet familjare e nepotike të Metanit më eksponentë të njohur të qeverisë dhe Partisë Socialiste, gjë që është bërë normë për drejtuesit e lartë të organeve të reja të drejtësisë. Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë është kunati i një tjetër deputeteje socialiste. Po përse i duhet Edi Ramës kapja e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë? Për arsyen e thjeshtë se në këtë funksion Inspektori ka si kompetencë të kontrollojë punën e gjykatësve dhe të prokurorëve të Republikës dhe t’i propozoje sipas rastit KLP dhe KLGJ masat disiplinore deri në shkarkim nga detyra. Kështu Edi Rama ka në dorë gjyqësorin dhe prokurorët, të cilët po nuk zbatuan urdhrat e tij, u lëshon Inspektorin, pra Metanin. Në këtë mënyrë, Edi Rama synon t’i mbajë gjyqtarët dhe prokurorët në një veting permanent dhe personal”, shtoi Gjata. (A2 Televizion)