
Mbetjet e 59 trupave të pajetë janë gjetur në një varrezë “klandestine” në një zonë në qendër të Meksikës, e cila shquhet për nivelet e larta të viktimave dhe dhunës për shkak të karteleve të drogës.
Autoritetet meksikane të sigurisë konfirmuan zbulimin e zymtë, të ndodhur në bashkinë Salvatierra të shtetit Guanajuato, ku numri i vrasjeve është rritur ndjeshëm për shkak të luftërave për territor të karteleve të drogës. Të paktën 10 prej trupave ishin femra dhe shumica e viktimave ishin të rinj, madje edhe adoleshentë, tha Karla Quintana, kreu i Komisionit Kombëtar të Kërkimit. Alarmin e dhanë fillimisht të afërmit e personave të humbur, çka solli edhe zbulimin e varreve të improvizuara.
Në Guanajuato u regjistruan 2250 vrasje mes muajve janar – gusht të këtij viti, sipas të dhënave zyrtare, një rritje me 25% nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar. (A2 Televizion)