Gjermania do të fusë në kampe refugjatësh dhe qendra riedukimi ata që thyejnë karantinën

Nga A2 CNN
19 Janar 2021, 12:36 | Bota
Gjermania do të fusë në kampe refugjatësh dhe qendra

Gjermanët që thyejnë rregullat e karantinës do të izolohen nëpër spitale dhe kampe refugjatësh. Nisma konsiderohet e nevojshme nga autoritetet për të frenuar numrin e rasteve dhe viktimave nga koronavirusi.

Më shumë se 2 milionë persona raportohet të jenë konfirmuar me Covid-19 që nga nisja e pandemisë në vend, ndërsa numri i viktimave është 46 633.

Saksonia ka konfirmuar planet për të futur shkelësit e karantinës në një seksion më vete të një kampi refugjatësh, që pritet të ndërtohet javën e ardhshme. Zyrtarë të landit thanë se kjo do të bëhet vetëm për personat që do të jenë shkelës të përsëritur të rregullave të karantinës.

Ndërsa në landin jugperëndimor, Baden-Württemberg, do të përdoren spitalet për të izoluar shkelësit, nën ruajtjen e policisë. Në Brandenburg, autoritetet do të fusin shkelësit në qendrat e refugjatëve, ndërsa në landin Schleswig-Holstein në qendrat e riedukimit të të miturve.

Ekspertë ligjorë thanë për gazetën gjermane “Die Welt” se qeveritë lokale të landeve kanë fuqi për ta bërë këtë gjë, bazuar në Aktin e Mbrojtjes nga Sëmundjet, miratuar fillimisht në mars dhe rinovuar në nëntor nga Bundestagu.

Plani është kritikuar nga partia opozitare Alternative fur Deutschland, deputetja e saj Joana Coatar, akuzoi qeverinë e Saksonisë se ka lexuar më shpesh sesa duhet librin e George Orwell, “1984”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos