
Turqia duhet të përmbushë detyrimet dhe të parandalojë një valë të re emigracioni. Deklarata erdhi nga ministri i jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, gjatë një takimi me homologun e tij grek, Nikos Dendias në Berlin. Ai kërkoi që Ankaraja të bëjë më shumë për ndalimin e rrugëve të emigracionit.
“Na shqetëson fakti që persona të shumë po kalojnë aktualisht nga Turqia për në Greqi, veçanërisht përmes detit. Jemi në kushtet e një valë të re emigracioni. Mbështesim ujdinë BE-Turqi dhe do të nderojmë detyrimet tona”, tha Heiko Maas, ministër i Jashtëm i Gjermanisë.
Ndërsa Berlini vuri theksin tek vala e re e refugjatëve, Athina u përqendrua te një tjetër temë përplasjeje me Ankaranë. “Pavarësisht mesazheve të qarta nga BE, Turqia vijon të shkelë ligjin ndërkombëtar, sovranitetin e Republikës së Qipros, një shteti anëtar të Bashkimit Europian, ndërsa ka intensifikuar dhe retorikën në Detin Egje”, Nikos Dendias, ministër i Jashtëm i Greqisë.
Përveç emigracionit dhe tensioneve me Turqinë, dy ministrat folën edhe për reformat e prezantuara nga qeveria greke, të cilat u përshëndetën dhe nga Berlini zyrtar. (A2 Televizion)