Stuhia “përbindësh” godet Spanjën, viktima e shkatërrime kolosale

Nga A2 CNN
16 Shtator 2019, 15:36 | Bota

U cilësua si stuhia më e fortë që godet Spanjën në 140 vjet dhe la pas shkatërrim në Valencia, Alicante, Murcia dhe Almeria.

Lumenjtë dolën nga shtrati si pasojë e reshjeve të dendura, njerëz e makina u tërhoqën zvarrë nga vërshimet e ujërave, mijëra vetë u evakuuan e të paktën 300 mijë hektarë tokë bujqësore u shkatërrua.

Erërat e forta nxitën krijimin e tornadove të vogla. Të paktën 6 persona humbën jetën si pasojë e përmbytjeve. Personeli ushtarak u dërgua në rajon për të ndihmuar mijëra personat e bllokuar në automjete, banesa apo kampingje. Vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e personave të zhdukur, ndër të cilët një shtetas holandez.

Autoritetet paralajmërojnë se është ende shumë herët për të përcaktuar një bilanc të saktë të dëmeve të shkaktuara nga stuhia më vrastare që prej 1879-tës, kur përmbytjet vranë mbi 1 mijë vetë në Murcia dhe Orihuela.

Autoritetet e rajonit të Valencias kërkojnë zbatimin, e ndonjë plani Marshall për të ndihmuar më rindërtimin, ndërsa qeveria rajonale e Murcia-s thotë se zonat e dëmtuara atje duhet të shpallen si zona katastrofe. Më e goditura ishte qyteza e Orihuel-s në Alicante, e cila u izolua për tre ditë nga përmbytjet. Stuhia me lëvizje të ngadaltë filloi të zhvendosej drejt veriperëndimit pasi humbi shumë prej forcës së saj shkatërruese. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos