Gjermania rrit presionin për miratimin sa më të shpejtë të vaksinës

Nga A2 CNN
15 Dhjetor 2020, 07:54 | Bota
Gjermania rrit presionin për miratimin sa më të shpejtë

Gjermania, si kryesuese e Presidencës së Bashkimit Evropian, po bën presion mbi Agjencinë Europiane të Barnave për të përshpejtuar procedurën e miratimit të vaksinës anti-Covid, të kompanisë Pfizer dhe BionNtech.

Kjo u raportua nga e përditshmja "Bild", duke specifikuar se kancelarja Angela Merkel dhe ministri gjerman i Shëndetësisë synojnë të arrijnë miratimin e vaksinës më 23 dhjetor, në vend të 29 dhjetorit, siç është planifikuar aktualisht.

Evropa mbetet pas me miratimin e vaksinës kundër koronavirusit, por burime nga agjencia që merret me të, thanë se asnjë hap apo detaj nuk po anashkalohet në këtë proces që kërkon kohën e tij.

Fillimisht, u njoftua 29 dhjetori si data e përgjigjes përfundimtare, por meqë e gjithë vëmendja është përqendruar te ky konfirmim, ai mund të vijë edhe më parë.

“Po punojmë 24 orë për miratimin e vaksinës së parë anti-covid-19”, tha një përfaqësuese e agjencisë, në një konferencë për shtyp, duke shtuar se afatet do të rivlerësohen vazhdimisht. “Nuk do të ketë asnjë kompromis mbi sigurinë”, vijoi ajo.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos