
Juventus është në krizë të thellë. Humbja ndaj Benfica në Torino ishte e dyta radhazi në grupet e Champions League dhe tifozët e kanë gjetur fajtorin kryesor: trajneri Massimiliano Allegri.
Ai gjithmonë është shprehur se nuk i intereson aspak që skuadrat e tij të luajnë mirë, mjafton që të fitojnë ndeshjen në fund. Por, tashmë Juventusi jo vetëm që luan shumë keq, por edhe nuk po fiton më. Këtë sezon, skuadra e drejtuar nga Allegri ka fituar vetëm 2 nga 8 ndeshjet e luajtura.
Tifozët po kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të tij dhe një video pas përfundimit të ndeshjes e përkeqëson edhe më shumë pozitën e tij.
Angel Di Maria shihet duke folur me Arkadiusz Milik dhe duke e pyetur me habi pse trajneri e hoqi nga loja në minutën e 70, duke qenë se polaku ishte autori i golit të vetëm të bardhezinjve dhe lojtari më i mirë në fushë.
Kur u pyet nga gazetarët për këtë video, sulmuesi polak tha: “Folëm bashkë, por janë gjëra që mbeten mes nesh”.
Ndërsa Allegri u justifikua kështu: “Di Maria nuk është në formën e tij më të mirë dhe më duhej të përforcoja mesfushën. Milik m’u duk më i lodhur sesa Vlahovic”. (A2 Televizion)