
Çështja McGonigal mori vëmendjen e mbledhjes së radhës së Kryesisë së Partisë Demokratike, ku ish-zyrtari i lartë i Byrosë Federale të Hetimit në Shtetet e Bashkuara akuzohet se u angazhua për të dëmtuar opozitën shqiptare.
Kreu i PD, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se korruptoi një qenie të dobët si McGonigal, duke dëmtuar në këtë mënyrë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.
“Një moment i pashembullt, i jashtëzakonshëm, ku për shkak të akteve të mirëfillta antishqiptare, antidemokratike, antikombëtare të Edi Ramës, Shqipëria ndodhet në qendër të një cikloni të fuqishëm mediatik botëror, në qendër të një akti që tejkalon çdo lloj imagjinate, kur një vend që i detyrohet më shumë SHBA se çdo tjetër, Shqipëria, kur një vend anëtar i NATO merr përsipër, i korrupton vendit udhëheqës të aleancës së atlantikut të Veriut, vendit udhëheqës të sigurisë dhe paqes në botë, një nga njerëzit më kryesorë të fushës së sigurisë dhe këtë e bën Edi Rama.
Të marrësh përsipër një akt të tillë, të shndërrosh në aset me korrupsion një njeri që kurrë se meritonte atë detyrë, por që kishte një pozicion të rëndësishëm në SHBA, do të thotë të kryhej një akt armiqësor të përmasave, tejkalon çdo lloj limiti e linje. Vizitat private në Shqipëri, duke qenë në detyrë, takimet e fshehta të McGonigal me Ramën, angazhimi i tij me pagesë për të sharruar shtyllën kryesore të rendit demokratike, pluralizimin, për të shkatërruar opozitën për hir të pushtetit të Ramës është një krim me përmasa makabër. Është një veprim i barabartë me një grusht shteti kur puçistët vendosin të shuajnë pluralizmin. Është një veprim i cili përveç aktit që bën ndaj vendit mik, përdor për të instaluar monizmin dhe fake opozitën në Shqipëri.
McGonigal është në një hetim të gjithanshëm në SHBA, u përket autoriteteve amerikane të qartësojnë lidhjet e tij agjenturore apo korruptive me Shestakovin, Fokin, Deripaskën etj. Një gjë është e sigurt, lidhjet e tij me Ramën janë më të turpshmet në historinë e këtij vendi. T’i lejojë vetes Shqipëria të korruptojë një qënie të dobët dhe të mos njoftojë partnerin strategjik është bashkëpunim në një krim të shëmtuar kundër SHBA, kundër Shqipërisë, NATO dhe çdo vendi të lirë. McGonigal dhe Mark Rosini, ortaku i tij, janë angazhuar në veprimtari antishqiptare për llogari të Ramës. Qëllimi i tyre ishte asgjësimi i opozitës.
Nga 2014, Mark Rosini bënte akuza publike ndaj meje për kukull të Putinit dhe i përsëriste këto në televizione. Ajo që është publikuar është se më 4 janar të 2018 ish-oficeri i sigurimit Agron Neza i dha informacione për kompaninë lobiste të PD. Ajo që është vërtetuar është se po ky ish-oficer i dha atij informacione për lobimin e kësaj kompanie më 16 janar të 2018 dhe se këto informacione, biznesmenit të lidhur me McGonigal dhe Agron Nezës ia dha zyra e Kryeministrit Edi Rama.
Pra del e qartë se fuqia e institucionit më të fuqishëm të SHBA u përdor për qëllime private nga Rama duke korruptuar shefin e kundërzbulimit të FBI. McGonigal u përdor gjithashtu dhe për afera të tjera korruptive, për licenca. Ai u shpërblye me 225 mijë euro, 500 mijë nga një bankë e Qipros, por edhe para të tjera. Ai u angazhua nga Edi Rama për të ndihmuar miqtë e tij të ngushtë Vangjush Dakon, Dom Doshin etj të shpallur non grata nga DASH”, tha Berisha. (A2 Televizion)