
Gjergji Gjika, përfaqësues i industrisë fasone, u shpreh në A2 Business se pagat nuk janë të ulëta në këtë sektor, teksa i krahasoi ato me pagat e shtetit.
“Nuk e pranoj atë të pagave të ulëta, pasi mund të publikoj edhe listën e pagave. Pagat nuk janë të ulëta në këtë sektor. Edhe kur ka pasur shteti rrobaqepësi, ne i kemi pasur pagat 30% më të larta se në shtet. Edhe atëherë, ata quheshin me paga normale, ndërsa ne quheshim me paga të ulëta. Ne e kemi sot pagën mesatare 430 mijë lekë të vjetra, të atyre 68 mijë personave.
A e keni parë nivelin e pagave të shtetit për të cilat askush nuk thotë janë të ulëta? A e dini që ka mbi 30 mijë veta me paga nën 300 mijë lekë”.
Më tej, ai theksoi se shqiptarët po largohen nga vendi për shkak të politikave, pasi nuk arrijnë dot të mbajnë familjen me një punë.
“Ne e vuajmë mungesën e fuqisë punëtore. Kjo Shqipëri po bëhet e pabanueshme për shkak të politikave. Ne kemi folur për pagat minimale. U bë me urdhër, por ky pse nuk jep një urdhër që kombëtarja e futbollit të dalë kampione bote? Por ka një procedurë, nuk del dot. Pse ikin jashtë shtetit? Sepse me një punë normale në Shqipëri nuk mban familjen. Unë do t’i bëjë politikat apo ai që ka marrë përsipër të drejtojë Shqipërinë? Këto janë pyetjet. Ai që e ka marrë përsipër të drejtojë Shqipërinë le ta bëjë, mos të bëje aheng”, tha Gjika. (A2 Televizion)