Gjithçka është gati, Britania nis të martën fushatën e vaksinimit ndaj Covid-19

Nga A2 CNN
7 Dhjetor 2020, 16:11 | Bota
Gjithçka është gati, Britania nis të martën

Mbretëria e Bashkuar ka bërë gjithçka gati për të nisur fushatën e vaksinimit në masë të popullatës ndaj koronavirusit të ri, me dozat e prodhuara nga Pfizer dhe BioNTech.

Kjo erdhi një javë pasi Britania u bë vendi i parë perëndimor që aprovoi përdorimin e një vaksine. Injektimi i dozave do të nisë të martën për Anglinë, Uellsin dhe Skocinë. Edhe Irlanda e Veriut ka konfirmuar nisjen e vaksinimit të qytetarëve, por nuk ka bërë të ditur një ditë specifike.

Qeveria e drejtuar nga kryeministri, Boris Johnson, ka njoftuar se vaksinimi do të jetë vullnetar. Qytetarët do të marrin dy doza me një diferencë kohore prej 3 javësh. Procesi, i cili paraqitet i komplikuar nga mënyra e ruajtjes së vaksinës së zhvilluar nga Pfizer dhe BioNTech nën kushte strikte, do të shikohet me shumë vëmendje nga e gjithë bota.

Zyrtarët e shëndetësisë në Britani presin që deri në fund të dhjetorit, të marrin 4 milionë doza të vaksinës që ofron deri në 95% mbrojtje nga Covid-19. E ndërsa qeveria pritet të nisë fushatën e imunizimit në masë për të vendosur pandeminë koronavirus nën kontroll, një grup i vogël britanikësh që besojnë në teori konspirative, kundërshtuan vaksinimin.

“Nuk dua të vaksinohem. Dëshiroj të jem e lirë dhe të jetoj jetën time. Dua që edhe të gjithë miqtë e mi të jetojnë jetët e tyre. Kjo pandemi është mashtrim”, shprehet një protestues.

Organizata botërore e shëndetësisë vlerëson se një vaksinim nga 65 deri në 70% të popullatës është i nevojshëm për të arritur imunitetin e tufës. Një anketë në Britani, e zhvilluar muajin e kaluar tregoi se rreth dy e treta e qytetarëve dëshirojnë të vaksinohen ndaj Covid-19. Megjithatë, kanë shprehur shumë shqetësime për kohën e shkurtër të zhvillimit të medikamenteve dhe për efektet anësore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos