
Papa Françesku do të zhvillojë një vizitë në Irak, të parën të realizuar nga një papë, nga datat 5 deri më 8 mars të vitit të ardhshëm, një udhëtim i rrezikshëm ky që është shmangur nga parardhësit e tij. Lajmi është njoftuar nga zëdhënësi i zyrës së shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, i cili shtoi se papa Françesku do të vizitojë kryeqytetin Bagdad, Ur, një qytet i lidhur me figurën e Dhiatës së Vjetër të Abrahamit, si dhe Erbil, Mosul dhe Qaraqosh në fushën e Nineveh.
"Programi i udhëtimit do të bëhet i njohur në kohën e duhur dhe do të marrë në konsideratë evolucionin e urgjencës shëndetësore në të gjithë botën", tha Bruni në deklaratë.
Kreu i Vatikanit kishte shpresuar të bënte një udhëtim këtë vit, por planet e tij u shkatërruan fillimisht nga shqetësimet e sigurisë dhe më pas nga pandemia e koronavirusit.
Do të jetë udhëtimi i parë i Papa Françeskut në më shumë se një vit. Të gjitha vizitat jashtë shtetit që ishin planifikuar për këtë vit u anuluan për shkak të pandemisë COVID-19.
Në vitin 2000, Papa i ndjerë Gjon Pali II donte të vizitonte qytetin antik irakian të Ur, që konsiderohej tradicionalisht se ishte vendlindja e Abrahamit, babait të të trija feve të mëdha monoteiste - Krishtërimit, Islamit dhe Judaizmit. (A2 Televizion)