Gjobat për maskën, mbi 14 mijë masa, Tirana me mosbindjen më të madhe

Nga A2 CNN
11 Nëntor 2020, 15:40 | Aktualitet
Gjobat për maskën, mbi 14 mijë masa, Tirana me mosbindjen më

Mbi 14 mijë gjoba 3 mijë lekëshe janë vendosur nga policia e shtetit që prej datës 15 tetor kur hyri në fuqi dhe akti administrativ për mbajtjen e maskave në ambientet e jashtme.

Nga të dhënat e siguruara nga A2CNN bëhet fjalë për rreth 43 milionë lekë të cilat do të faturohen tek energjia elektrike.

Por nëse numri i gjobave vijon të rritet sipas policisë sjellja e qytetarëve vijon të mbetet e njëjta. Burime pranë policisë së shtetit bëjnë me dije se kryeqyteti ka numrin më të lartë për sa i përket gjobave, kjo për shkak të mosbindjes së qytetarëve për të zbatuar rregullat.

Një tjetër problematikë mbeten dhe ata pacientë të cilët janë diagnostikuar me Covid, por që nuk mund të kontrollohen nga policia gjatë izolimit të tyre në shtëpi. Në total, e gjithë struktura e policisë ka rreth 10 mijë efektivë ndërsa 11 mijë persona të diagnostikuar marrin trajtim në banesë dhe sipas aktit normative duhet të jenë nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga uniformat blu.

Dicka e tillë është e pamundur të kryhet efektivisht nga policia. Në prill të këtij viti, parlamenti miratoi ndryshimet ligjore në Kodin Penal, që parashikojnë dënim me burg për personat që nuk respektojnë karantinimin në kohë pandemie.

Ajo që bie në sy është se te gjitha masat administrative apo gjobat do të mund të aplikohen nga policia apo postblloqet e kontrollit në terren. Sipas këtyre ndryshimeve, çdo person që nuk zbaton urdhrat për karantinimin apo shkel rregullat dënohet me burgim nga 2 deri në 3 vjet.

Ndërkohë, përhapja me dashje e COVID-19 dënohet nga 2 deri në 5 vite. Dënimi është më i rëndë deri në 8 vite kur përhapja me dashje e virusit shkakton pasoja të rënda ose është rrezikshme për jetën e njerëzve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos