
Kryeministri Edi Rama, me anë të një statusi në Facebook, bëri me dije se “autoritetet greke do të rishikojnë të gjitha gjobat e vendosura” ndaj shtetasve shqiptarë që për shkak të pandemisë Covid-19 u bllokuan në Greqi.
Gjithashtu, kreu i qeverisë shtoi se atyre personave që nuk do t’u anulohet gjoba, qeveria do t’i rimbursojë 100%.
“Zyra ime ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet greke, pas lajmit të bërë publik të gjobitjes së disa shtetasve shqiptarë që kanë tejkaluar afatin 90-ditor të qëndrimit në Greqi gjatë muajve të fundit. Autoritetet greke do të rishikojnë të gjitha gjobat e vendosura, ndërkohë kanë siguruar se në kohëzgjatjen e pandemisë vendosja e gjobave do të ndodhë vetëm në rastet flagrante, ku shkelja e afateve nuk ka lidhje me situatën e krijuar nga Covid-19. UNË I SIGUROJ TË GJITHË QYTETARËT SHQIPTARË, të cilëve autoritetet greke nuk do t'ua anulojnë gjobën se do të rimbursohen në masën 100% NGA QEVERIA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, shkroi Rama në rrjetin social.
Dhjetëra shtetas shqiptarë, që për shkak të pandemisë Covid-19 u bllokuan në Greqi, janë gjobitur kur kanë dalë nga territori grek. Gjoba e vendosur nga policia kufitare ka qenë për tejkalim të kohës së qëndrimit përtej tre muajve, që iu lejohet qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen. (A2 Televizion)