Edhe pse nuk është më, Teatri rikthehet në sallën e Kuvendit. Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni kanë kërkuar interpelancë urgjente me kryeministrin Rama për procedurën që u ndoq në shembjen e godinës. Ajo pritet të zhvillohet javën e ardhshme.
Ndërsa Parlamenti po rikthehet në normalitet, duke zgjeruar dhe orët e diskutimit në seancë plenare, pasuesi i Hajdarit në krye të grupit parlamentar, Mylsim Murrizi iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të ankimuar Kodin Penal. Kodi që ashpërson masat kundër Covid, ishte konsensus i rrallë mes mazhorancës e Presidentit të Republikës.
Në mbledhjen e konferencës së kryetarëve, zhvilluar paraditen e së mërkurës, u vendos mbajtja e seancave plenare në 28 maj, 4 dhe 11 qershor, si dhe mbyllja brenda muajit të ardhshëm të të gjithë raportimeve të institucioneve të pavarura në Kuvend. (A2 Televizion)
