Gjykata e lartë me 11 anëtarë, Meta dekreton Gentian Medjan dhe kritikon KLGJ për vonesa

Nga A2 CNN
8 Mars 2022, 12:20 | Politikë
Gjykata e lartë me 11 anëtarë, Meta dekreton Gentian Medjan dhe

Gjykata e Lartë tashmë ka 11 anëtarë. Presidenti Ilir Meta ka dekretuar Gentian Medjan për të veshur tunikën e gjyqtarit në shkallën e tretë të gjyqësorit. Argumentet presidenciale kritikonin qeverinë e gjyqësorit për standardin e ndjekur. 

“Presidenti i Republikës, pavarësisht këtij dekretimi, shpreh rezervën e tij, lidhur me veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor, mbi vonesat e pajustifikuara të krijuara në plotësimin e Gjykatës së Lartë me të gjithë trupën e nevojshme gjyqësore. Tejzgjatja e një procedure për rritjen në detyrë për një periudhë 2-vjeçare nga KLGJ, është një standard i papranueshëm.”

Krahas kritikave për KLGJ, Presidenti ka edhe një thirrje për Gjykatën e Lartë ku kërkon që të plotësojë vakancat në Gjykatën Kushtetuese.

“Me emërimin e anëtarit të 11-të të saj, kjo gjykatë duhet të zhvillojë Mbledhjen e Posaçme të Gjyqtarëve, për të votuar e zgjedhur sipas Kushtetutës dhe Ligjit, anëtarin më të ri të Gjykatës Kushtetuese, sipas listës së propozuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi që prej 30 dhjetorit 2021.”

Tashmë, pas gati gjashtë vitesh nga miratimi i reformës në drejtësi, Gjykata Kushtetuese pritet të plotësohet me kuorum të plotë ku tre tunika kushtetuese prej vitesh kishin mbetur në dollap, pasi Gjykata e Lartë nuk kishte kuorumin e nevojshëm të vendimmarrjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos