
Shumë deputetë kanë dalë kundër Lulzim Bashës në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Ndërkohë, ka dhënë dorëheqjen nga çdo funksion në këtë parti edhe Agron Gjekmarkaj, duke mbetur vetëm deputet i thjeshtë.
Sipas burimeve të A2 CNN, Grida Duma dhe Ferdinand Xhaferri, mes të tjerëve, kanë shprehur pakënaqësi ndaj kryetarit Lulzim Basha, në mbledhjen e grupit parlamentar që u zhvillua mbrëmjen e së hënës.
“Jam më i vjetri dhe me eksperiencë, nuk kam ambicie, por përgjegjësi për PD-në. Berisha nuk është zgjidhje dhe e ka mbyllur me PD-në, por ti (Basha) na ke fyer kur thua nuk kam humbur asnjë garë. Duhet të largohesh si kryetar”, ka thënë Xhaferri.
Grida Duma ka qenë e prerë në qëndrimin e saj ndaj Bashës: “Duhet të mbani përgjegjësi dhe të largoheni! Tani, para se të na drejtohesh neve me pyetje, kam unë një pyetje për ty: A ndjen ti kryetar përgjegjësi morale, personale për këtë humbje?”.
“Dëgjova që e nisët fjalën tuaj duke thënë “ose me mua, ose këtu do t’ju vijë Sali Berisha”. Sali Berisha, duke dashur t’ju mundë ju, mundi Partinë Demokratike. Në këtë garë, për shkak të luftës midis Sali Berishës dhe jush, humbi Partia Demokratike. Në këtë betejë, ne bëmë gjithçka që të mos e bënim betejën Berisha kundër Bashës, por nuk e evituam dot. Ju thoni sot këtu “o të jem unë, ose këtu do jetë Sali Berisha”. Pra, “o unë, o askush nuk mundet”. Çka do të thotë që kulti i individit që po luftojmë, është ende edhe më i rrënjosur. Kjo garë u bë PD kundër PD dhe kjo nuk është në asnjë moment e pranueshme më”, shtoi Duma.
Deputeti Lefter Gështenja mësohet t’i jetë drejtuar Lulzim Bashës me këto fjalë në mbledhje: “Duhet të bëni një hap pas, ju i pari, pastaj me radhë të gjithë, në mënyrë që të bashkohen demokratët në bazë. Nuk mund të vazhdohet më kështu, duhet reflektim i thellë nga të gjithë. Nga ju i pari, duhet të sakrifikojmë të gjithë që të shpëtojmë PD-në. Nëse na dhimbset vërtetë PD-ja, duhet ta bëjmë sot sepse nesër do të jetë vonë. Ju duhet të bëni një hap pas që të bashkohen demokratët. Sot demokratët janë të ndarë. Drejtuesit e partisë nuk dalin në terren, janë larguar nga strukturat e PD-së, shkojmë vetëm për fushata. Nuk mund të vazhdohet kështu.
Ndërsa Lulzim Basha ka përsëritur se nuk ka humbur asnjë garë, por ato janë vjedhur.
“Dy rrugë ka. Ose rrimë bashkë e bëjmë riorganizim, ose ia dorëzojmë Sali Berishës partinë. Synimi i Berishës është që ta marrë PD-në, për t’u mbrojtur nga “non grata”, tha Basha. (A2 Televizion)