
Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit lë të pandryshuar masën e sigurisë "arrest në burg" për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Alfred Beleri.
Ndërsa, Kokaveshi është liruar pasi Apeli i GJKKO-së vendosi për të masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje.”
Sipas avokatit Marsel Zhupa, klienti i tij Pandeli Kokaveshi ka bërë para një viti transplant zemre dhe nuk mund të qëndronte në paraburgim për shkak të nevojave specifike mjekësore.
Kujtojmë se kryetari i zgjedhur i Bashkisë Himarë u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve të 14 majit dhe akuzohet për korrupsion aktiv në zgjedhje të kryer në bashkëpunim.
Edhe pse pas hekurave, ai arriti që të dilte fitues në garën përballë kandidatit të mazhorancës socialiste Jorgo Goro me një diferencë të vogël votash.
Sipas policisë, Beleri dhe Kokaveshi kane premtuar dhe dhënë shuma monetare me qëllim blerjen e votës. Ndërkohë disa nga personat e pyetur nga Policia e Vlorës kanë pranuar se u ishin premtuar lekë në këmbim të votës.
Tashmë në krye të Bashkisë pritet të qëndrojë Jorgo Goro i PS-së, që duket se do të ketë fatin e Voltana Ademit në Shkodër pas zgjedhjeve të vitit 2019.
Ekspertët shpjegojnë se për sa kohë është në qeli Beleri nuk mund të betohet për të marrë detyrën. E pa u betuar as nuk mund të shkarkohet nga detyra. (A2 Televizion)