U prangos për inceneratorin e Fierit, GJKKO liron nga qelia ish-deputetin Bllako

Nga A2 CNN
6 Tetor 2022, 14:57 | Aktualitet

U prangos për inceneratorin e Fierit, GJKKO liron nga qelia ish-deputetin

Gjashtë muaj pasi u prangos me kërkesë të SPAK-ut, ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako, ka lënë qelitë e paraburgimit.

Këtë të enjte, Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e ish-deputetit të arrestuar për aferën e inceneratorit të Fierit, për zbutje të masës së sigurisë, duke zëvendësuar masën “arrest në burg” me atë të “arrestit në shtëpi”.

Para gjykatës, avokati i Bllakos, Sokol Hazizaj, argumentoi kërkesën për lehtësim të masës me faktin se SPAK-u ka ezauruar të gjitha veprimet hetimore, se ish-deputeti nuk ka rrezikshmëri shoqërore dhe se nuk ka mundësi të dëmtojë provat, apo t’i shmanget hetimit.

Si argument janë paraqitur edhe rrethanat familjare të ish-Sekretarit të Përgjithshëm, nevoja e tij si kryefamiljar në përkujdesjen e tre fëmijëve të mitur.  

SPAK kërkoi arrestimin e Alqi Bllakos në fund të muajit mars, pas dyshimeve ndaj tij për “korrupsion” dhe “shpërdorim të detyrës” gjatë procedurës tenderurese për inceneratorin e Fierit.  

Bllako dorëzoi mandatin e deputetit, pak orë pasi SPAK i kërkoi Kuvendit autorizim për ta arrestuar. Sipas SPAK, në bashkëpunim me ish-ministrin Lefter Koka, Bllako ka falsifikuar dokumentin në lidhje me llojin e sipërfaqes së tokës ku u ndërtua inceneratori, duke mashtruar Këshillin e Ministrave, si edhe ka përfituar rryshfet për favorizim të paligjshëm të kompanisë koncensionare.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos