
Gjykata Kushtetuese do të nisë sot në orën 10:00 seancën publike për shqyrtimin e çështjes për shkarkimin ose jo të Presidentit të Republikës, Ilir Meta. Shtatë gjyqtarë kushtetues do të marrin në duart e tyre fatin e Ilir Metës.
Kërkesa për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për shkelje të rënda të Kushtetutës u depozitua në kushtetuese nga Kuvendi i Shqipërisë, pas miratimit të raportit të ngritur nga komisioni hetimor. Me datën 9 maj, dy javë pas zgjedhjeve të 25 prillit, Kuvendi i Shqipërisë, miratoi me 104 vota pro, 7 kundër, 2 abstenim dhe 1 e pavlefshme. Kjo kërkesë u depozitua më 1 korrik, rreth 7 muaj më parë.
Nga ana e tij, presidenti Ilir Meta e ka konsideruar vendimin e Kuvendit “nul”, nga i cili nuk ka asnjë shqetësim.
Sipas mazhorancës, Presidenti i Republikës ka kryer në mënyrë të përsëritur disa akte dhe sjellje, të cilat në vlerësimin e deputetëve përbëjnë shkelje të rënda dhe flagrante të Kushtetutës. Aktet e Presidentit konsistojnë në sjellje dhe mesazhe publike të tij në kundërshtim me parimin e unitetit të popullit, të cilat nuk përkojnë me rolin e tij përfaqësues dhe ekuilibrues në jetën e vendit. Në abuzim të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, si dhe në kushtet e shkeljes së rëndë dhe flagrante të Kushtetutës, z. Ilir Meta para, gjatë dhe pas periudhës së fushatës zgjedhore 2021, me veprimet, sjelljet dhe mesazhet e dhëna në publik nuk ka garantuar unitetin kombëtar, ka nxitur konfliktin politik.
Një ditë më parë, A2 CNN mësoi mbrojtjen ligjore të presidentit e cila do të fokusohet në tre elemente.
Nga ana e tij, Presidenti mendon se shkarkimi i tij është votuar gjatë një legjislature që tashmë ka përfunduar dhe si rrjedhojë edhe vullneti politik në sallën e Kuvendit mund të ketë ndryshuar. Kontestimi i dytë i Metës ka të bëjë me konfliktin e interesit e paktën një pjese të trupës. Argumenti i tretë i mbrojtjes ka të bëjë me mungesën e një ligji organik për funksionim e institucionit të Presidentit të Republikës. (A2 Televizion)