
Gjykata Speciale mund të nisë me gjyqet ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që nga marsi i këtij viti. Këtë e konfirmoi zyra e prokurorit të specializuar gjatë konferencës së fundit përgatitore, pavarësisht volumit të madh të punës. Gatishmërinë për të nisur proceset gjyqësore e konfirmuan edhe avokatët mbrojtës të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Kreu i trupit gjykues, Charles Smith, duke marrë në konsideratë volumin e madh të punës në këto raste, tha se pret që ky gjykim mund të tejkalojë periudhën prej 5 vitesh. Prokuroria speciale bëri të ditur se ka në dispozicion mbi 300 dëshmitarë, ndërsa Gjykata Speciale rezervon të drejtën që të zvogëlojë numrin e tyre. Ish krerët e UÇK-së akuzon për krime të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në Kosovë nga viti ’98 deri në dhjetor të vitit 2000.
Më 16 dhjetor, në këtë gjykatë u dënua me 26 vjet burg ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, pasi u shpall fajtor për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.
Krimet për të cilat është dënuar Mustafa thuhet se kanë ndodhur në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999. Sa i përket akuzës për ndalim arbitrar, kryegjykatësja ka thënë se të paktën 6 personave u është ndaluar liria në periudhën 1 prill 1999 – 19 prill 1999.
Vetë Mustafa është deklaruar i pafajshëm për këto krime. Madje gjatë një seance gjykimi, ai e ka konsideruar gjykatën si “zyrë të Gestapos”, policisë sekrete në kohën e Gjermanisë naziste. (A2 Televizion)