
Pas seancës së parë, ishte radha e dëshmitarit. Para trupës së Gjykatës Speciale të Kosovës me seli në Hagë, lëshoi akuza ndaj ish-anëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa. Dëshmitari, të cilit nuk iu zbulua identiteti dhe fytyra, tha se ishte dhunuar nga disa persona.
“Ky është njeriu që, i akuzuari është. Ky që është i akuzuar qitu. Në atë moment nuk ka pasur nofkë hiç, e di më herët, e ka pasur kapelën e kuqe. Nuk di kurrgjë, nuk kam parë, terr u kon, ky personi është e di. E di se ai u kanë kryesori atje. Pa thënë i akuzuari ata nuk kanë bërë kurrgjë.”
Dëshmitari bëri të ditur se fillimisht ishte ndaluar nga dy persona, që ishin paraqitur me uniformë të UÇK-së, më pas kishin ardhur dhe të tjerë për ta dërguar në fshatin Zllashë, afër Prishtinës.
“Kanë ndalë kerrin, thesin e kam pas në kokë...më kanë çu në atë dhomën, kur kam shku te dera më kanë sulmu me shkelm, jam rrëzuar, nuk kam pa, pastaj janë ardh të tjerë dhe nuk e di, kam ndejtë ashtu më kanë marrë më kanë çu në një vend tjetër jashtë u kanë ftohtë e më kanë rrah.”
Ai rrëfen dhe dhunën e ushtruar dhe presionin e madh psikologjik.
“Kam qenë i shtrirë... më kanë shkelë ma kanë qitë kamën qitu, ma kanë shti revolen qitu (në ballë)...një moment ja ka ngre kamën revoles, revolja shkrep ka bo, nuk ka kris hiç.”
Salih Mustafa është i akuzuari i parë ndaj të cilit Gjykata Speciale nisi një gjyq. Ai akuzohet për trajtim mizor, torturë dhe vrasje gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Gjatë seancës së parë, Mustafa mohoi akuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale në qershor të vitit 2020 dhe konfirmuar në shtator të po atij viti. Mustafa qëndron në paraburgim në Hagë që prej shtatorit të 2020-ës. (A2 Televizion)