Demokratët përjashtuan mundësinë e një shkëmbimi të dëshmitarëve me republikanët, në gjyqin kundër presidentit amerikan Donald Trump. Ligjvënësit që po përpiqen të shkarkojnë presidentin nga detyra shpresojnë të dëgjojnë dëshmi nga ish këshilltari i sigurisë John Bolton.
Por ata refuzuan çdo ujdi që do të lejonte djalin e ish zv. presidentit Joe Biden të thirrej si dëshmitar. “Nuk kemi nevojë për dëshmitarë që nuk kanë aspak lidhje me këtë çështje. Ata po përpiqen të zhvendosin vëmendjen e amerikaneve nga e vërteta”, deklaroi Chuck Shummer, lideri i pakicës në Senat.
Grupi i 7 demokratëve nga Dhoma e Përfaqësuesve që ka marrë rolin e prokurorëve, ka 3 ditë kohë për të parashtruar argumentet e impeachment në gjyqin e zhvilluar në Senat. Edhe ekipi ligjor i presidentit ka në dispozicion po aq ditë për t’u mbrojtur.
Demokratët akuzojnë kreun e Shtëpisë së Bardhë se kishte shfrytëzuar ndihmën ushtarake për Ukrainën si mjet presioni për ta bindur atë të niste hetimet kundër rivalit të tij politik Joe Biden. Gjatë një aktiviteti elektoral në Iowa, Biden tha se nuk do ta ofronte veten në asnjë shkëmbim dëshmitarësh.
“Kjo është një çështje kushtetuese. Ne nuk do ta kthejmë në një teatër politik”, tha Biden.
Të mërkurën, ligjvënësi demokrat Adam Schiff, në rolin e prokurorit i kërkoi republikanëve të votonin për shkarkimin e presidentit për të mbrojtur demokracinë.
“Nëse nuk shkarkohet nga detyra, abuzimet e Trump me pushtetin dhe pengimi i punës së kongresit do të cenojnë në mënyrë të përhershme balancën e pushtetit në nivele të ndryshme të qeverisë”, deklaroi Schiff.
Gjyqi mund të mbyllet javën e ardhshme, por republikanët kontrollojnë dhomës e lartë të kongresit dhe pritet që presidenti të shfajësohet.

Trump: Thirrja e dëshmitarëve, siguria kombëtare në rrezik
Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump, komentoi zhvillimet në Senat lidhur me gjyqin për shkarkimin e tij. Thirrjen e dëshmitarëve, ai e konsideroi një rrezik serioz për sigurinë kombëtare.
“Është një mashtrim total, një turp. Ata flasin për një çështje të madhe, por nuk kanë asnjë çështje. E gjitha është një mashtrim. Do të pranoja që të merrej në pyetje John Bolton, apo persona të tjerë. Problemi është se John është një problem për sigurinë kombëtare. Ai është në dijeni të disa opinioneve të mia për liderë të caktuar. Çfarë ndodh nëse ai zbulon ato që mendoj unë? Nuk janë opinione shumë pozitive”, deklaroi presidenti amerikan. (A2 Televizion)