
Gjykata e Posaçme ka marrë zyrtarisht të pandehur gjyqtarin e Shkallës së Dytë të vetting-ut, Luan Daci. Ndaj tij, Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuza për “falsifikim të dokumenteve”.
Pas këtij momenti procedural dosja do të dërgohet tek gjyqtari paraprak, i cili do të vlerësojë për kalimin e saj në gjykim, pushimin, apo kthimin për plotësim të hetimit. Sipas SPAK, ai ka paraqitur të dhëna të rreme, kur ka aplikuar për tu bërë pjesë e trupës së KLP në vitin 2017, duke mos deklaruar faktin se kishte një masë disiplinore “largim nga puna”.
Hetimi ndaj gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nisi në janar të këtij viti. Ai u kallëzua nga ish-anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani, i cili u shkarkua nga detyra nga një Kolegj ku bënte pjesë edhe Daci. Për llogari të hetimit pesë muaj më vonë Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për pezullimin e tij nga detyra. Pezullimi u rrëzua nga Apeli i Posaçëm në fillim të qershorit, vendim që ktheu në detyre gjyqtarin Daci. Në të dy përballjet me gjykatën Daci ka mbajtur qëndrim mohues në lidhje me akuzën. (A2 Televizion)