
Policia e Shkodrës ka bërë të ditur se ka finalizuar operacionin e koduar “Vespa”, duke goditur një grup kriminal që vepronte në këtë qytet dhe merrej me shpërndarjen e lëndës narkotike kanabis dhe drogave të tjera të forta.
Policia ka vënë në pranga 4 persona, ndërsa ka sekuestruar armë, municione, dy elektroshokë dhe kanabis sativa.
“Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, pas një pune të mirorganizuar, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit dhe me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, u finalizua operacioni policor i koduar “Vespa”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
-M. K., 48 vjeç, A. C., 49 vjeç, U. H., 33 vjeç dhe L. K., 16 vjeç, të katërt banues në Shkodër.
Si rezultat i hetimeve proaktive, të kryer në kuadër të një procedimi penal, ka rezultuar se këta shtetas vepronin në formën e grupit kriminal dhe kryenin veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, në qytetin e Shkodrës”, njofton policia e Shkodrës. (A2 Televizion)