Spanja ka arrestuar 32 anëtarë të një grupi të krimit të organizuar të lidhur me mafien famëkeqe italiane Ndrangheta. Mes të arrestuarve janë italianë, shqiptarë dhe hungarezë, disa prej të cilëve janë të lidhur me një numër vrasjesh në Itali.
Sipas Europol, anëtarët e bandës kriminale përshkruhen si shumë të dhunshëm dhe akuzohen për trafik droge në shkallë të gjerë dhe pastrim parash.
Grupi dyshohet se ka lidhje me trafikun e kokainës dhe kanabisit midis Spanjës dhe Italisë "duke përdorur automjete të pajisura me ndarje të fshehura dhe skafe për të transportuar drogën".
“Fitimet kriminale u riinvestuan në pasuri të paluajtshme në Spanjë për të fshehur origjinën e tyre të paligjshme, duke ndotur ekonominë legale”, tha Europol në një deklaratë.



Autoritetet konfiskuan gjithashtu 18 kilogramë amfetaminë, 4,5 kilogramë kokainë, një numër armësh zjarri, 300,000 euro para të thata dhe 600 bimë kanabis.
Rreth 40 prona u kontrolluan gjithashtu në qytetet bregdetare spanjolle të Barcelonës, Málaga dhe Tenerife.
Operacioni u zhvillua në dy ditë të ndryshme javën e kaluar në ishullin mesdhetar të Ibizas dhe përfshiu 500 oficerë të zbatimit të ligjit nga Garda Civile Spanjolle, Karabinierët e Italisë dhe Guardia de Finanza, të mbështetur nga organet evropiane për policinë dhe drejtësinë, Europol dhe Eurojust.
Mafia kalabreze Ndrangheta konsiderohet të jetë organizata më e rëndësishme kriminale në Evropën Perëndimore.
"Anëtarët e kësaj organizate kriminale përdornin në mënyrë rutinore dhunë, duke përfshirë torturën, për të çuar përpara qëllimet e tyre kriminale," tha Europol të martën. (A2 Televizion)