
Çerek shekulli më parë, në vitin 1995, Shqipëria shkruajti një sukses të madh për atë periudhë. Fitorja e parë jashtë fushe në ndeshjet zyrtare. Ishte një hap i vogël, drejt arritjeve të mëdha.
Në vitin 2019, Kombëtarja vendosi të tjerë rekorde në Kishinau. Suksesi 4-0 në Moldavi është fitorja më e thellë ne histori në kualifikueset zyrtare, të Europianit apo Botërorit. Katër gola kuqezinjtë i shënuan edhe në portën e Islandës, por këtë herë porta e Strakoshës mbeti e paprekur.
Tre gola në pjesën e parë të lojës, mbi të gjitha në transfertë, ekipi përfaqësues nuk i kishte shënuar asnjëherë më parë. Një tjetër primat. Gjithçka në një mbrëmje debutimesh. Lorenc Trashi shënoi në ndeshjen e parë kuqezi. Një ëndërr! Dy yje te rinj, si Kumbulla dhe Selahi debutuan në moshën 20-vjeçare.
Keidi Bare shënoi golin e parë me Kombëtaren. Është vetëm 22-vjeç, por ka kualitet të padiskutueshëm dhe stofin e një lideri. 22-vjeçar është edhe Rey Manaj. I rikthyer te goli me fanellën kuqezi pas një kohe shumë të gjatë. Dhe çfarë goli!
Prej muajit prill, kur Edy Reja mori drejtimin e stolit, Shqipëria duket e rilindur. Një skuadër e mbushur me yje të rinj, që emocionon në fushë, lufton dhe tanimë... sulmon. 9 gola në katër ndeshjet e fundit. Aq Kombëtarja nuk i kishte shënuar në të gjithë edicionin e kualifikimit historik të Euro 2016.
Kuqezinjtë ngjiten në kuotën e 12 pikëve. Ndaj Andorrës dhe Francës, Shqipëria ka shansin të kalojë primatin historik të 14 pikëve të grumbulluara me Gianni De Biasin në kualifikuese. Reja erdhi të Shqipëria si “plaku i moçëm” me misionin për të rikthyer grintën, entuziazmin dhe dëshirën. 74-vjeçari solli më tepër se aq: lojën, talentet dhe rezultatet për një projekt që duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen. (A2 Televizion)