Një cikël i ri po nis për kuqezinjtë, me emra të rinj dhe një kualitet të lartë. Ëndrra e frikshme e Stambollit u harrua shpejt dhe 90 minutat e Chisinau treguan se nuk luajtën rastësisht mirë ndaj Turqisë. Me një treshe solide në mbrojtje, Reja ndihet i sigurt në prapavijë.
Gjasula ka një vizion të qartë për lojën dhe me ndihmën e Bares pompojnë me korridore sulmin. Pasi konfirmoi Veselin, Trashi është një tjetër zbulim për trajnerin italian. Me një Cikalleshi në super formë, po i jepet shansi edhe Manajt të rritet e bëhet pjesë e kësaj skuadre.
Që nga koha kur Shqipëria fitonte për herë të parë jashtë fushës së saj, pikërisht në Moldavi, me golat e Kushtës, Bellajt dhe Rudi Vatës kanë kaluar plot 24 vite dhe disa breza futbollistësh kanë shkruar historinë e Kombëtares. Me shumë gjasa cikli i ri që po nis do të jetë një nga ato që do të mbahet mend, pse jo duke kërkuar edhe biletën për një vend në kompeticionet më të mëdha futbollistike. (A2 Televizion)
Strakosha 6.5- Ëndrra e keqe e Stambollit nuk ka për t’ia prishur më gjumin dhe besimi i dhënë nga trajneri ishte një shenjë e mirë. Në Kishinjev ishte një spektator pa biletë. Ismajlaj 7 - Pozicionimi në mbrojtje shumë i koordinuar, ndërsa dalja në fazën sulmuese ishte shumë e koordinuar dhe me rezultat. Demraku 7 - Reja ka gjetur lojtarin e duhur për rreshtimin me 3. Demraku e bën shumë mirë rolin e liberos dhe arrin të dublojë shokët e repartit. Djimshiti 7 - Është një futbollist që të krijon shumë siguri. Gjithnjë ishte një hap para kundërshtarit dhe nuk shfaqi asnjëherë shenja pasigurie, sidomos edhe në daljet në sulm. Veseli 6.5 - Dy ndeshjet e fundit i kanë dhënë të drejtë trajnerit në bindjen e tij. Nga ky moment trajneri do të jetë në dilemë për të zgjedhur se kë do të aktivizojë në të djathtë. Trashi 7.5 - Të jesh pjesë e Kombëtares është ëndërr, por të shënosh që në debutim është një përrallë që mund t’ia tregosh brezave. Trashi e preku këtë ëndërr. Përveç shumë klas në veprime, solli sinjale se e kërkon atë vend. Bare 7 - i gjithëkund ndodhur gjatë gjithë mbrëmjes. Sulmoi shumë topin e parë dhe kishte nje komunikim si me repartin mbrojtës dhe atë sulmues Abrashi 7 - Një ndeshje shumë e mirë e kapitenit, që e pa të bëhej protagonist në disa aksione. Ka një kimi shumë të mirë me pjesën tjetër të skuadrës. Gjasula 7.5 - Një futbollist i tillë kishte kohë që nuk vinte në Kombëtare, ka pak Bledar Kola në pozicionin në fushë, por ka edhe pak Altin Lala në grintën që shfaq, edhe sigurisht edhe pak Ervin Skela për fantazinë me të cilën shikon dhe ndërton lojën. Cikalleshi 7 - Është rikthyer në një pikë referimi për sulmin. Një futbollist me shumë grintë dhe në këtë ndeshje tregoi shumë dëshirë dhe vendosmëri. Manaj 7 - Një lojtar agresiv që kërkon gjithnjë të krijojë volum, por i mungon shpejtësia dhe fantazia në disa momente. Reja i dha besim dhe Roshi e çoi te goli, duke i dhënë besimin e Manajt. Reja 7.5 - E ka plotësisht nën kontroll skuadrën. Ka të qarta pozicionet e gjithsecilit dhe i jep besim të gjithëve. Trashi një gjetje. Shenjë optimizmi për të ardhmen