Grabitja e qindra mijëra eurove, PD: Incidenti që i hoqi kapakun pusetës së llumit të qeveritarëve

Nga A2 CNN
10 Janar 2023, 12:46 | Politikë
Grabitja e qindra mijëra eurove, PD: Incidenti që i hoqi kapakun

Partia Demokratike e konsideron zbulimin e vjedhjes së qindra mijëra eurove nga banesa e një ish-zyrtareje të lartë si një incident që hoqi kapakun e llumit të qeverisë socialiste.

“Është episodi i një seriali të pafund vjedhjesh të përditshme nga Edi Rama dhe qeveria e tij, i denoncuar vazhdimisht nga Partia Demokratike, në të cilën zyrtarët e lartë të qeverisë, me lejen e “baba Dovletit” të Surrelit, vjedhin çdo ditë shqiptarët dhe mbushin dyshekët e llogaritë e fshehta bankare. Nga rruga “John Belushi” tek “Rruga e Kosovarëve”, në çdo cep të Shqipërisë, në çdo tender, projekt, VKM, aeroport dhe port, në çdo darkë te Nusreti apo shtëpi zyrtarësh, fshihet një akt korrupsioni dhe skemë vjedhjeje shihen pakot, baulet e eurove te vjedhura qytetarëve të këtij vendi”, tha zëdhënësja e PD, Floriana Garo në një deklaratë për mediat.

PD thotë se në shumë raste, denoncimet e PD dalin të vërteta. “Kur në shtëpinë e Rozeta Dobit gjendeshin gjysmë milion euro të Alda Klosit dhe zyrtarëve, ministrave e deputetëve të tjerë, policia me urdhër të Edi Ramës fshihte emrin e Aldës të cilin e bëri publik Partia Demokratike.

“Rozeta Dobi është vetëm incidenti që i hoqi kapakun pusetës së llumit të qeveritarëve e zyrtarëve të Edi Ramës, patronazhistëve të tij, që vjedhin çdo minutë, çdo orë, çdo ditë dhe muaj të vitit, miliarda e miliarda euro nga taksat, tatimet, tenderat, prokurimet, doganat dhe pasuritë publike të qytetarëve. Nga ana tjetër, Alda Klosi nuk është thjesht një zyrtare që ka punuar për Arben Ahmetajn, apo Edi Ramën. Ajo është dora, firma dhe skema ku Arben Ahmetaj dhe Edi Rama kanë vjedhur qindra miliona euro. Vini re se ajo ka qenë e angazhuar në detyra të larta në tre nga sektorët më korruptivë të tranzicionit 30-vjeçar në Shqipëri: rindërtimin, djegësat dhe koncesionet. Milionat që Rozeta Dobi mori nga kasaforta apo dysheku i Alda Klosit, nuk janë të xhaxhait me tumor, siç pretendon drejtoresha e Ramës dhe Ahmetajt, por janë metastazat e tumorit kurruptiv ku e ka futur qeverinë dhe administratën Edi Rama”, shtoi Garo. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos