
Gjykata e Posaçme e Apelit konfirmoi fajësinë e dhënë nga Shkalla e Parë për shtatë të akuzuarit për grabitjen e miliona eurove në pistën e aeroportit të Rinasit.
Në ngjarjen e ndodhur prillin e vitit 2019, autorët e grabitjes përdorën një furgon të modifikuar për të hequr dy blloqe betoni para një prej portave të rrethimit. Më pas, nën kërcënimin e armëve morën milionat e eurove që po ngarkoheshin në bordin e një avioni dhe u larguan nga një portë tjetër e gardhit rrethues.
Në vendimin e shpallur këtë të mërkurë, Apeli la të pandryshuara edhe masat e dënimit të Shkallës së Parë, duke dhënë 122 vitesh burg në total për të pandehurit. Dënimi më i rëndë me 20 vite burg i takoi të pandehurit Klement Çala, fajtor për disa vepra penale, mes të cilave “vjedhje me armë” dhe “grup të strukturuar kriminal”.
Për të pandehurit e tjerë Eldi Çala, Otlian Veseli, Renaldo Sula, Saimir Çela, Elton Pikli e Alkond Bengasi u la në fuqi dënimi me nga 17 vite burg për secilin.
Në Apel përmes avokatëve disa nga të pandehurit kërkuan rigjykim të çështjes në Shkallën e Parë, duke pretenduar shkelje proceduriale. Sipas prokurorisë së Posaçme, “truri” i grupit kriminal të grabitjes ishte Admir Murataj, i cili u vra ditën e ngjarjes gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë.
SPAK akuzon si anëtar të grupit edhe të shumëkërkuarin Talo Çela, i cili po gjykohet në një proces të veçuar në Gjykatën e Posaçme
Për grabitjen u arrestua edhe kosovari Ragip Hajdini, i njohur me nofkën “Daja”, i cili ndërroi jetë gjatë hetimit. Milionat e eurove të grabitura në Rinas dyshohet se janë bërë shkak për disa ngjarje kriminale të mëvonshme në vend.
Hetimet për ngjarjen mundën të identifikojë autorët, por jo të gjejnë milionat e grabitur. (A2 Televizion)