Grenell: Nuk kemi besuar kurrë te një zgjidhje e shpejtë në vit zgjedhor, shpresojmë të zgjidhet liberalizimi i vizave nga europianët

Nga A2 CNN
8 Korrik 2020, 10:38 | Kosova
Grenell: Nuk kemi besuar kurrë te një zgjidhje e shpejtë në

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell mbështeti takimin virtual të palëve, të organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron, në program për datën 10 korrik.

Në një deklaratë për mediat, Grenell tha: “Jemi të lumtur që shohim se europianët do të takohen më 10 korrik për të diskutuar me Kosovën dhe Serbinë. Ofrojmë mbështetjen tonë të plotë dhe jemi mirënjohës për udhëheqësinë. Shpresojmë që çështja e rëndësishme e liberalizimit të vizave të përfundojë në këtë takim”.

Grenell shton se Shtetet e Bashkuara “kanë punuar fort të vënë theksin në normalizimin ekonomik mes palëve, pasi besojmë që ky është një hap i parë kyç për problemet afatgjata politike. Shpresojmë që europianët do të vendosin si prioritet zbatimin e marrëveshje për transportin ajror, tokësor dhe hekurudhor, për të cilat është rënë dakord më parë. Besojmë se këto marrëveshje janë kyçe për krijimin e vendeve të punës dhe rikthimin e shpresës tek të rinjtë”.

Grenell hedh poshtë aludimet se takimi i anuluar i Uashingtonit ishte organizuar për të siguruar një “fitore” në prag të zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara. “Nuk kemi besuar kurrë te një zgjidhje e shpejtë në vitin zgjedhor mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe nuk e kemi menduar kurrë që përqendrimi te normalizimi ekonomik do të arrihej shpejt. Çështjet e vështira dhe afatgjata do të diskutohen më lehtësisht mes palëve nëse më parë është bërë përparim në çështjet ekonomike. Komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojë të përpiqet të gjejë ide të reja dhe krijuese nëse duam që të kemi përparime. Dhe populli i Kosovës dhe Serbisë meritojnë vëmendjen e plotë dhe të vazhdueshme të Europës”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos