
Kosova shënoi të hënën rekord të ri të të prekurve nga koronavirusi. 195 persona rezultuan pozitive pas 429 testeve te kryera, numri më i lartë i rasteve të konfirmuara në një ditë që nga shfaqja e pandemisë. Viktimat e shënuara në 24 orët e fundit ishin katër, për një total prej 79 humbje jetësh.
Që prej javës së kaluar situata me Covid-19 është përkeqësuar ndjeshëm në Kosovë. Vetëm në dy ditë gjatë fundjavës, u shënuan 17 vdekje, disa prej të cilave po hetohen nga organet e rendit. Situata bëri që qeveria e Kosovës të rikthejë disa prej masave të kufizimit duke ndaluar lëvizjen nga ora 21 e mbrëmjes deri në orën 5 të mëngjesit në komunat më të prekura, përfshirë Prishtinën. Është kufizuar gjithashtu orari i hapjes së bareve e restoranteve dhe është reduktuar stafi nëpër institucione. (A2 Televizion)