
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka kërkuar nga të gjitha partitë politike në Kosovë që të pranojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Përmes një deklarate, Grenell thotë se po pret me padurim që të punojë me Qeverinë e re të Kosovës.
“Gjykata Kushtetuese ka folur. Për të garantuar paqen dhe stabilitetin – dhe për të mbështetur integritetin e sistemit të drejtësisë së Kosovës – të gjithë duhet të respektojnë vendimi. Pres me padurim të vazhdoj punën time me njerëzit e Kosovës dhe qeverinë e tyre për të sjellë prosperitet, zhvillim dhe vende pune në rajon”, thuhet në deklaratën e Richard Grenell.
Që kur u emërua i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Grenell ka qenë kritik ndaj qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, nga e cila kërkonte me ngulm heqjen e tarifës 100 për qind për produktet serbe dhe të Bosnje Hercegovinës. (A2 Televizion)