
Lojtari i Shpresave të Shqipërisë, Fiorin Durmishaj po kalon një formë të shkëlqyer në Greqi. Ai ka arritur të bëjë paraqitje mjaft të mira me skuadrën e Panioniosit, duke realizuar edhe disa gola.
Por te Shqipëria nuk duhet të “flenë të qetë”. Greqia është hedhur e gjitha në sulm për t’i mbushur mendjen lojtari që të përfaqësojë kombëtaren helene.
Në ftuar në një emisionin në një televizion grek, trajneri i kombëtares greke, Angelos Anastasiadis dhe drejtori teknik, Angelos Basinas folën pikërisht për Durmishajn.
“I kam ndjekur thuajse të gjitha ndeshjet e Panioniosit, por asgjë nuk mund të bëhet pa dëshirën e lojtarit. Unë e kam kontaktuar lojtarin dhe kam biseduar për të ardhmen e tij. I kam bërë të ditur se jemi të interesuar që ai të luajë për Greqinë edhe pse deri tani ka luajtur me Shpresat e Shqipërisë. Durmishaj më ka thënë se dëshiron të luajë për Greqinë. Por nuk është vetëm ai problemi, ka edhe procedura të tjera. Unë besoj se do të kemi një fund të lumtur”, është shprehur trajneri i Greqisë.
Ndërkohë, edhe drejtori teknik, Basinas ka pranuar se janë në kontakt me futbollistin dhe se ai dëshiron Greqinë.
“Është një rast interesant. Jemi në kontakt me futbollistin, por edhe me menaxherin e tij. Jemi në rrugën e duhur dhe besoj se këtë javë do të vendosim. Vullneti i lojtarit është të përfaqësojë Greqinë”, ka thënë Basinas.
Në anën tjetër, nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e FSHF apo një prononcim nga lojtari. (A2 Televizion)