Gripi i shpendëve mbërrin në Shqipëri, Ministria e Bujqësisë: Sëmundja e pranishme në 3 vatra

Nga A2 CNN
8 Qershor 2021, 20:15 | Aktualitet
Gripi i shpendëve mbërrin në Shqipëri, Ministria e

Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural konfirmon se në vendin tonë janë regjistruar rastet e para të gripit të shpendëve të tipit H5N8. 

Sëmundja është e pranishme vetëm në 3 vatra, që ndodhen respektivisht në Njësinë Administrative Fushë- Krujë, në Njësinë Admistrative Dajt dhe në Njësinë Administrative Bujan.

Monitorimet e situatës epidemiologjike në popullatën e shpendëve nga ana e Ministrisë së Bujqësisë erdhën pas njoftimit të dhënë nga Organizata Botërore e Shëndetit të Kafshëve, për praninë e virusit të Gripit të shpendëve në disa vende të rajonit dhe më gjerë.

Më tej, përmes një njoftimi, ministria raporton se shërbimi veterinar kreu  eliminimin e shpendëve të prekur dhe të dyshimtë, si dhe mori masat për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të sëmundjes.

Në vijim, Urdhri i Ministrit  ndalon në rang kombëtar tregtimin e shpendëve të gjallë në mjediset e hapura  dhe në  tregjet e kafshëve të gjalla. Lejohet lëvizja e shpendëve me destinacion thertoret, të shoqëruar vetëm me certifikatë shëndetësore veterinare.

MBZHR sjell në vëmendjen e publikut respektimin e higjienës dhe gatimin në temperatura të larta të të gjitha produkteve me origjinë shtazore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos