
Raporti i fundit i Bankës Botërore për Shqipërinë doli në përfundimin se rritja ekonomike në vendin tonë do të ngadalësohet deri në 3,6% në dy vitet e ardhshme. Sipas ekspertes se ekonomisë, Suzana Guxholli, gjetjet e raportit janë të sakta dhe përkojnë me situatën ekonomike por edhe politike në vend.
“Raporti nuk flet për perceptime, por bazohet mbi të dhënat zyrtare në lidhje me zhvillimet në Shqipëri. Dhe këto janë burime të Qeverisë. Rritja ekonomike qëndron, por siç e analizon edhe raporti, është e brishtë që në fakt duhet të jetë kambanë për domosdoshmërinë e reformave ekonomike”, tha Guxholli, e ftuar në A2 Business Week.
Sipas saj, dorëzimi i mandateve nga deputetët e opozitës dhe nisja e protestave të njëpasnjëshme është vetëm hapi i fundit. “Fakti që opozita ka dalë nga Parlamenti është kambanë shumë e madhe, sepse tregon që ka pakënaqësi. Opozita nuk donte të ishte më pjesë e një skenari dëshpërues, sepse nuk mund të sillte ndryshim në Parlament pasi numrat i kishte të vogla”, u shpreh zëvendësrektorja e Universitetit “Marin Barleti”.
“Protesta është shumë ekonomike, sepse nuk është vetëm protesta e ish-deputetëve. Para saj pati protesta shumë më të mëdha, si e studentëve. Protestat vijnë si rezultat i gjendjes ekonomike e cila rëndon xhepat, mendjen dhe shpirtin e njerëzve”, shtoi ajo. (A2 Televizion)