Hajdari: Guximin, damarin e dëshirën për t’i shërbyer vendit i kam marrë nga im atë

Nga A2 CNN
9 Dhjetor 2022, 21:47 | Politikë
Hajdari: Guximin, damarin e dëshirën për t’i shërbyer

Rudina Hajdari, e ftuar mbrëmjen e së premtes në “Intervistë” me Merita Haklajn ka treguar sesi datat e shënuara të dhjetorit i kujtojnë gjithnjë të atin.

Ndërsa tregoi se çdo vit gjatë kësaj periudhe të vitit i qëllon shpesh që të dëgjojë fjalim e Azem Hajdarit, ish-deputetja demokrate solli në vëmendje sesi babai i saj nuk pati kurrë frikë që të identifikohej, edhe pse kushtet e kohës ishin të rrezikshme.

Azem Hajdari, figura dominuese, kaçurrelat e tij. Ishte i ri, shumë aktiv, madje madje kishte dhe një theks në të folur sepse sapo kishte ardhur nga Tropoja, kuptohet...Këto ditë më qëllon shpesh edhe që të dëgjoj fjalimet e tij gjatë asaj periudhe. Dëgjova mbrëmë për shembull, atë bisedën me Ramiz Alinë dhe mënyra sesi ai flet, ndryshe nga të tjerët nuk ka frikë nga asgjë, nuk ka problem të identifikohet. Shumë njerëz ishin të trembur në atë kohë. Ai ishte shumë i qartë në idetë e tij.

Rudina Hajdari, anëtare e PD-së

E pyetur se çfarë mendon se ka marrë më shumë nga i ati, Hajdari tregoi se ndërsa nga nëna ka mësuar sesi dhimbjen ta kthejë në forcë, nga i ati, Azemi ka trashëguar “damarin” dhe dëshirën për t’i shërbyer vendit.

Pjesën tjetër e revoltimit, apo të damarit e kam nga im atë. Guximin e tij, dëshirën për t’i bërë gjërat ashtu siç janë, për të qenë e vërtetë, në atë që them. Për ta përjetuar këtë rrugëtim politik, ashtu siç e përjetoi ai me dëshirën për t’i shërbyer këtij vendi dhe jo për të përfituar.

Rudina Hajdari, anëtare e PD-së

Ish-deputetja e Partisë Demokratike rrëfeu se ishin pikërisht parimet e të atit, por edhe vetë ngjarjet e dhjetorit të vitit 1990, që e bënë që të mos e digjte mandatin e saj në vitin 2019. Hajdari theksoi se në kushte të njëjta, do të bënte sërish të njëjtën zgjidhje.

Në rastin e mandatit, dhe nëse do të ndodhte diçka e ngjashme, do të bëja të njëjtën gjë. Ishte vendim i vështirë, nuk kisha shumë në politikë, por e kuptoja që ishte në dëm të opozitës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos