
Prokuroria e Romës ka hapur një hetim për sulmin kibernetik që goditi qendrën e përpunimit të të dhënave në Rajonin e Lacios dhe çështja I ka kaluar prokurorëve të antiterrorist dhe agjentëve të krimeve informatike.
Për terrorizëm foli edhe guvernatori Nicola Zingaretti. “Aktualisht po mbrojmë komunitetin tonë nga këto sulme të natyrës terroriste. Lazio është viktimë e një shkelje kriminale, më e rënda që ka ndodhur ndonjëherë në territorin italian. Sulmet po vijojnë ende dhe kjo është një situatë tepër serioze”, tha ai.
Në dosjen e hapur kundër autorëve ende të paidentifikuar, janë ngritur akuza për krime të ndryshme, mes të cilave përqasje abuzive në sistemin informatik dhe tentativë për shantazh. Mediat italiane raportojnë se origjina e sulmeve kibernetike mund të jetë Europa lindore ose Rusia. Hakerat u futën në sistemin e brendshëm të shëndetësisë në rajonin e Lacios përmes të dhënave të një administrator dhe aktivizuar një virus që bllokoi të dhënat. Autoritetet italiane I druhen një përsëritje të mundshme të sulmeve të tilla edhe në rajonet e tjera dhe po ndërmarrin masa për të parandaluar diçka të tillë. (A2 Televizion)