
Pas më shumë se dy muajsh, në të gjithë vendin hapen lokalet dhe restorantet.
Por nga kjo e hënë, 18 maj, situata në vend ndryshon rrënjësisht krahasuar me atë që ka qenë gjatë dy muajve të fundit. Nga dita e sotme, përveç transportit publik, aktiviteteve kulturore dhe sportive, rihapet gjithçka tjetër.
Një ditë më parë, kryeministri Rama njoftoi se tashmë janë hequr edhe lejet, si për këmbësorët, ashtu edhe automjetet, ndërsa nuk lejohet lëvizja nga një zonë e gjelbër në atë të kuqe dhe anasjelltas.
“Nga nesër (e hënë) për javën në vazhdim, në bazë të vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, Fieri kthehet në zonë të gjelbër; Hiqet krejtësisht fasha orare e lëvizjes në zonat e gjelbra; Fasha orare e lëvizjes në zonat e kuqe zgjatet deri në orën 21:00; Hiqen në të gjithë vendin autorizimet për lëvizjen e këmbësorëve apo automjeteve; Vazhdon të jetë e ndaluar hyrje – dalja e automjeteve në zonat e kuqe; Qeveria do të ndryshojë nesër aktin normativ për heqjen e ndalesës së studiove TV për të ftuar jo më shumë se një person. Do të mbetet vetëm kushti që të ftuarit të vendosen në distancë 2m nga njëri - tjetri.
Miq, me heqjen e të gjitha autorizimeve të lëvizjes, ekspozimi ndaj infeksionit rritet shumë dhe barra e çdo individi për të ruajtur veten e të tjerët gjithashtu! Ju lutem bëni më të mirën tuaj si deri tani dhe kujdes në mënyrën më të veçantë me të moshuarit e të sëmurët në familjet tuaja, të cilët duhet të vetëkufizojnë daljet maksimalisht. Masa 14-ditore për të vetëkarantinuarit nuk ndryshon dhe shkelja e saj ndëshkohet nga ligji dhe Kodi Penal”, njoftoi kryeministri një ditë më parë.
(A2 Televizion)