
Një tjetër spital Covid vihet në funksion të situatës për përballimin e të prekurve nga koronavirusi. Spitali i ri karantinë, Covid-4 në autostradë, do të trajtojë të infektuarit gjatë periudhës së rihapjes dhe sezonit turistik. Ndërsa në vjeshtë, kur parashikohet vala e dytë e koronavirusit, do të jetë në ndihmë të 3 spitaleve Covid.
“Kapaciteti i këtij spitali është 100 shtretër. Janë 50 shtretër me oksigjen përfshirë këtu edhe terapinë intensive. Çdo kat është i njëjtë, janë organizuar dhomat e mjekëve, dhomat e personelit shëndetësor kanë mobilim përkatës. Është strukturë që na rrit kapacitetet tona të spitaleve. Në skenarët tanë kemi planifikuar në total 500 shtretër”, tha ministrja Manastirliu.
Në konferencën e parë me gazetarët pas rihapjes, kryeministri Edi Rama nuk dha një datë për hapjen e kufijeve detare dhe ajrore.
I pyetur nga A2, kreu i qeverisë deklaroi se kjo varet nga marrëveshjet mes shteteve, por siguroi se nuk do të ketë karantinë dhe as testime për njerëzit që vijnë nga jashtë.
Kryeministri Edi Rama shprehu rezerva në lidhje me rregullat e qeverisë së Kosovës në këtë periudhë pandemie, duke sugjeruar rishikimin e tyre për qytetarët e Shqipërisë. Ai nënvizoi se gjendja e fatkeqësisë natyrore pas 23 qershorit nuk do të jetë më në të gjithë vendin, por vetëm në vijën bregdetare për të kontrolluar situatën e përhapjes së virusit.
Ndërkaq, pas mjekëve, testimet serologjike do të shtrihen edhe në popullatë, sipas një skeme që po përgatisin ekspertët. (A2 Televizion)