Reforma zgjedhore në Shqipëri, BE: Palët të arrijnë marrëveshje, të mos humbet momenti

Nga A2 CNN
2 Qershor 2020, 19:30 | Aktualitet
Reforma zgjedhore në Shqipëri, BE: Palët të arrijnë

Eurokomisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi iu kërkoi palëve politike në Shqipëri që të vazhdojnë përpjekjet për të gjetur dakordësi në lidhje me reformën zgjedhore.

Gjatë një konference për shtyp në Bruksel, ai tha se pa këtë reformë është shumë e vështirë të ecet përpara. 

“Iu bëj thirrje të gjitha palëve pjesëmarrëse, si brenda ashtu dhe jashtë parlamentit, të përpiqen që të arrijnë një marrëveshje. Kjo është një reformë shumë e rëndësishme që duhet përfunduar. Pa të është shumë e vështirë të ecet përpara dhe do të ishte fatkeqësi të humbasë ky moment i krijuar mes Shqipërisë dhe vendeve anëtare”, tha komisioneri.

Varhelyi foli edhe për negociatat e anëtarësimit të Bashkimit Europian me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Zyrtari i Brukselit nënvizoi se korniza e negociatave do të publikohet brenda pak ditëve.

“Korniza e negociatave do të vijë brenda qershorit dhe pjesa tjetër e paketës së zgjerimit do të prezantohet në vjeshtë. Korniza e negociatave do të jetë pranë nesh në pak ditë. Po mundohemi ta dërgojmë në tryezën e Këshillit javën e ardhshme”, shtoi Varhelyi

Ndërkohë, për negociatat lidhur me reformën zgjedhore në Shqipëri ka ndërhyrë dhe Isabel Santos, reporterja e Parlamentit Europian për vendin tonë. Ajo thekson me anë të një postimi në Twitter rëndësinë e ndjekjes së rekomandimeve të OSBE/ODHIR dhe përmbylljen e reformës sa më shpejt. Santos shkruan se reformat nuk janë të nevojshme jo vetëm për anëtarësimin në BE, por edhe për popullin shqiptar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos