Nuk kanë të ndalur largimet e drejtuesve të Agjencisë shtetërore të Kadastrës në Vlorë, ASHK ose siç njihet hipoteka. Drejtoresha e komanduar pak kohë më parë, Viola Hima, është larguar këtë të martë. Në këtë mënyrë ajo është bërë drejtuesi i gjashtë që largohet që nga shtatori i vitit të kaluar.
Ndërsa Jurgen Pilkapi është drejtori i shtatë që merr drejtimin e ASHK Vlorë, që nga shtatori i vitit të kaluar. Me largimin e Himës, janë shkarkuar edhe të gjithë shefat e sektorëve të ASHK Vlorë.

Lëvizjet e shumta të drejtuesve në këtë institucion kanë të bëjnë me çështjet e pronave në bregdet. Ndonëse secili nga gjashtë drejtuesit e dorëhequr ka paraqitur arsye personale dhe familjare, dyshohet se e vërteta e këtyre dorëheqjeve ka të bëjë me problematikën e regjistrimit të një sipërfaqe toke mjaft të lakmuar në zonën e Jalës në bregdet, me vlere disa miliona euro.
Por shkeljet në zyrën e regjistrimit të pronave në Vlorë shpesh herë kanë qenë objekt edhe i hetimeve të nisura nga prokuroria e Vlorës edhe për një sërë pronash të tjera që janë tjetërsuar me dokumentacione madje edhe me vendime gjyqësore të falsifikuara. Këto lëvizje kanë shkaktuar një ngërç të vërtetë në vijimësinë e punës dhe funksionimin e këtij institucioni. (A2 Televizion)